Zbardhoi drita, lindi dielli; u bë ditë dhe në shpirtin t’im ndjeva një gjë të re. Ishte një pyetje që donte përgjigje. Së mbrëndëshmi ndëgjova një zë që më pyeti “Ç’ësht jeta?”

Hap sytë për një cast, vështroj rrotull dhe asgjë nuk gjej, asnjeri nuk përgjigjet në vënd t’im. Ulem dhe u përvishem librave, kërkoj mendimin e atyre që kanë shkrojtur…por edhe atje asgjë.

Pa shpresë largohem prej vëndit ku ndodhesha, e pa kënaqur hedh këmbët e mia; rëndë rrëshqasin, diçka shkelin. Një faqe libri të vjetër. Ulem, e mar, e vështroj dhe vetëm një fjalë këndoj, mosknaqsia…

Mendimet më turbullojnë dhe më së fundi m’u duk se e gjeta të vërtetën, se jeta ësht mosknaqësia.

E drejtë, e pa gabuar. Të gjithë thrresin sikur t’isha…dhe unë gjithashtu.

Jam njeri, më krijoi natyra duke më dhënë dhe tru. Më vërviti në tokë, më bëri më të lartë nga të gjithë shtazët dhe bimët, me gjith atë nuk knaqem, i kërkoj vehtes të jem kështu, të jem ashtu; si kjo dhe si ajo dhe më së fundi e gjeta…

T’isha një lule-lule are, e vogël dhe me erë. Të çelnja në prendverë dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave. Të qëndroja e fshehur, e pa dukur dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve. Prej frike, të larguar prej njerzis do t’më këputnin, do të dhurohesha te njëri –tjetri për shenjë kujtimi. Do të ndëgjonia se ç’flitnin, fjalët e bukura dhe plot shpresë. Do t’më thurnin dhe mua disa vargje të lehta për hir të dashuris.

Një trendafil i egër të mbinja për mbi varrin e ndonjë të riut. Të mirrnja pjesë në lotët që do të derdhnin mbi atë tokë të ftohët.

Karafil i kuq të lulzoja dhe me kujdes të vaditesha …një ditë të vendosesha në jakën e palltos. Do të shetitnja dhe unë rrugët e qytetit , do të kuptonja jetën djaloshare dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;…që të dy qënkan të bukur do të thoshin.

Më së fundi le t’isha së paku një lule e egër, midis rrugës dhe gurëve, pa kujdesin e të tjerëve.

Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu, burrë ase grua…e di, por s’ka gjë, një lule isha dhe jo njeri….