Nju Jork
11 shkurt 2017
Eshtë kënaqësi dhe nder i veçantë që marrim pjesë në këtë përkujtim për të nderuar Musine Kokalarin. Punimin tim nuk do ta lexoj, pasi do të jepet për botim i plotë. Këtu do të përqendrohem shkurt në këto katër pika:
Së pari, do ta nis me mesazhin e përmendur këtu, ardhur dje nga Tirana prej Linda Kokalarit, ku ajo flet për veprimtarinë e sapozhvilluar në atdheun tonë të dashur. Në atë veprimtari u përcoll njëfarë motoje e qenësishme e jetës dhe veprës së Musinesë, njëfarë busulle që e orientonte atë në tallazet e pamëshirshme të oqeanit të jetës:”Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërsa ajo gjendet brenda nesh”.Ka diçka noliane, në mos skënderbegiane këtu: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush”. Por ndërsa Noli fliste për lirinë e kombit si kategori kolektive e shumësuese lirish individuale përkundrejt të huajit, Kokalari na përçjell lirinë si kategori individuale e ideal vezullues në raport me diktaturën e egër të ideuar nga vetë shqiptari…Mirëpo para së gjithash, ajo maksimë na përcjell shpresën, që në njëfarë mënyre është e pavdekshme, dhe që mundet vetëm nga vdekja.
Ulur nga e majta në të djathtë: Hanushe Kokalari (e ëma e Musinese), Reshat Kokalari (I ati i Musinese).
Në këmbë, nga e majta ne te djathtë: Muntaz Kokalari (vëllai, pushkatuar në 12 Nëntor 1944), Fejzie Kokalari (kunata e Musinesë, bashkëshortja e Vesim Kokalarit), Vesim Kokalari (vëllai, pushkatuar më 12 Nëntor 1944), Musine Kokalari, Fatime Memo (vajza qe Reshat Kokalari adoptoi ne Turqi, e konsideruar gjithmonë si motër. Musineja në korrespondencën e saj i drejtohet gjithmonë “e dashura motër”)
Së dyti, dua të përmend këtu bleun simpatik “Siç më thotë Nënua Plakë”, kryeveprën e Musinesë. Sikurse tha Eniti, mbesa e Musinesë për këtë libër, që i kujtonte gjiroksatritçen e folur nga gjyshja dhe e ëma e saj, edhe unë e kam lexuar kur isha 17 vjeç dhe më la mbresa të jashtëzakonshme. Sapo kisha kaluar një periudhë kalvari në fshatrat e Gjirokastrës ku, përveç përplasjes me diktaturën, qëllova i zhytur edhe në arealin e asaj kulture, tradite dhe gjuhe tonën aq të çmuar. Dhe papritur në Tiranë më bie në dorë “Nënua Plakë” e Musinesë, tjetër libër i ndaluar. E përpiva dhe e rilexova disa herë. Përfitoj nga rasti këtu të përmend botimet e çmuara të Vatrës në vitet 1910-1930. Ndofta VATRA mund të marrë nismën për ribotimin anastatik të “Nënos Plakë”, për çka mund të kontribuonim të gjithë.
Së treti marr shkas të përmend diçka të rëndësishme për Musinenë. Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi me 7 prill 1939 dhe me 11 dhjetor 1941.Të Premten e Madhe të vitit 1939 ushtria fashiste italiane pushtoi Shqipërinë, duke këputur në mes jetën e një shteti të brishtë e të një kombi të vogël e të pambrojtur.Me 11 dhjetor 1941 Musolini i shpalli luftë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Musineja është simbol dhe pishtar i qëndresës antikomuniste, por cili ishte qëndrimi i saj kundrejt fashizmit? Këtë na e qartësojnë dokumentet e paraqitura kohët e fundit në publik, dhe më konkretisht një Notë e datës 19 nëntor 1945 e përpiluar nga Musine Kokalari, Qenan Dibra, Shaban Balla dhe Sami Qeribashi. Nota programatike ka rëndësi shumë të madhe për historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, pasi aty përvijohen shtyllat e shtetit shqiptar, përfshirë neutralitetin, të drejtat e pakicave, zgjidhjen e problemit të Kosovës, zbatimin e reformave shoqërore “në bazë të traditave të vendit” etj. Kurse në pikën 6 të programit, shpallej “Luftë ndaj çdo elementi fashist e profashist”.
Pra, Musine Kokalari u rreshtua pa asnjë mëdyshje krahas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popullin amerikan, me Presidentin Roosevelt, me Aleatët e Mëdhenj.
Së fundi, më lejoni të theksoj çka u përmend këtu për ardhjen e familjes së Musine Kokalarit nga Turqia për në atdhe në dekadën e parë të shekullit të kaluar. Ç’ndodh gjatë rrugës? Përpara u del një vajzë jetime, pa ndihmë, pa mbrojtje, pa bukë. Siç na u tha këtu, familja Kokalari e mori në mbrojtje Fatimenë, vajzën e panjohur turke, e birësoi, e bëri pjesë të familjes së vet.
Këtu na shfaqet përpara me gjithë forcën e vet instituti i lashtë- dhe krahasimisht ndër më fisnikët në të drejtën zakonore shqiptare- instituti i ndores. Shpesh i ngatërruar me mikpritjen dhe besën, ndorja është institut i shenjtë: ajo sanksionon detyrimin e pritësit për t’i dhënë strehë e të shpëtojë këdo aktant të gjendur në nevojë ekstreme dhe që lyp mbrojtje. “N’dorën tande” ishte si thirrje e ardhur nga qielli. Shkelja a dhunimi i tij ballafaqohej me sanksionet më të rënda në kanunin e maleve në jugë e veri. Ja se si e gjejmë atë tek Kanuni i Lekë Dukagjinit,varianti i Pukës, si shprehje e pozitës së veçantë të gruas në të drejtën zakonore shqiptare:
“Grues s’i pritet ndorja. I ra kush ndore njaj grueje që i doli para, grueja ka të drejtë me e mbrojt. Ja preu kush ndoren grues së huej, koritet e leçitet.
Grues s’i pritet ndërmjeca. Sulmoi kush nji shpi dhe grueja
e shoqit u pshtet për derë të asaj shpije, hasmi s’ka të drejtë me e prek. “Grueja e huej s’preket me dorë”.
Zbatimi i institutit të ndores në rastin e Fatimesë nga Kokalarët e Gjirokastrës është tjetër shembull i njëjësisë të së drejtës zakonore tonën në mbarë trevat shqiptare. Theksojmë se edhe në rastin e shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës II Botërore ishte pikërisht ndora, dhe jo besa, që u zbatua masivisht dhe fisnikërisht nga mbarë shqiptarët, pa asnjë dallim.
Të kthehemi këtu tek qershori 1946. Në punën time për librin “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, ndër dokumentet e shumta që më ranë në dorë ishte edhe kabllogrami befasues i shefit të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri, Joseph E. Jacobs. Përshkrimi ishte rrënqethës.
Dje, pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu keqaz të pandehurin. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara, ia shkulën shumicën e flokëve. Rojet bënin sehir.” …
Nënshkruar JACOBS
[Arkiva e DASH, 875.00.6-2746]
Dhe këtu më lejoni të përfundoj me konkluzionet e shkrimit tim “Në nderim të Musine Kokalarit”.
“Gruaja nuk preket…
Parimi i shenjtë i paprekshmërisë së gruas qëndron në themel të së drejtës zakonore shqiptare. Imuniteti absolut i buruar prej tij shtrihet dhe mbulon madje edhe gjakësin nëse ky rrugëton në shoqërinë e një gruaje. E pra, gjithshka u shqelmua atë mëngjes qershori të vitit 1946 në Tiranë. Ishte dhunuar një grua, ishte cenuar Musine Kokalari. As hetuesia apo seanca gjyqësore nuk e kishin thyer Musinenë. Kishte mbetur mjeti i vetëm – cenimi fizik. Dhe një dorë mizore kishte guxuar të prekte edhe flokët e saj…Bota në kuptimin e saj normal ishte përmbysur. Ishte tronditur nga themelet edhe vetë kodi i lashtë zakonor shqiptar.
Mirëpo ky akt i pashembullt dhune ishte në kundërshtim të hapur edhe me të drejtën pozitive, d.m.th. me ligjet e kohês. Akti përbënte thjesht një krim, të konsumuar në mes të ditës, në të dalë të Kinema17 Nëntorit në Tiranë.
Vërtetësia e telegramit të Jacobs-it nuk mund të vihet në dyshim. Diplomati amerikan do të raportonte në qendër vetëm diçka që ishte tërësisht e saktë dhe e vërtetë. Nga largësia mëse 70 vjeçare është e vështirë të hetohet krimi dhe të përcaktohet dhunuesi, që nuk përjashtohet të ketë qenë vetë një grua. Po ashtu, është e vështirë të konkludohet pa mëdyshje se akti ishte i paramenduar apo i porositur nga lart. Prapëseprapë është e pamundur që ai të ishte akt spontan. Imazhi i rojeve të armatosura, që qëndronin indiferente, pa reaguar, përballë atij quasi-linçimi, është thjesht i pashlyeshëm. Me mosveprimin e tyre, rojet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës,dhe jo vetëm ata, u bënë praktikisht bashkëdhunues e fajtorë në cenimin brutal, thellësisht të dënueshëm ndaj çdo gruaje, e sidomos një gruaje heroinë si Musine Kokalari.”
Ju falemnderit,
A.A.